Klajdi është 11 vjeç. Ai nuk mund të flasë dhe as të ecë, ndonëse rrokulliset pa rreshtur në divanin e vjetër në verandë dhe mundohet të lëshojë klithma, me shumë gjasë për të kërkuar ndihmë.
“Kur ishte 3 javësh, një natë, vetëm qante dhe rënkonte papushim. E gdhimë atë natë. Pastaj të nesërmen e dërguam në spital. Doktori tha për Paralizë Cerebrale/Paraplegji ... nuk e di mirë. Pastaj ikëm në Tiranë. Edhe atje i bëmë ca analiza. Pastaj u kthyem në fshat...që atëherë vetëm tek mjeku i familjes e kemi çuar çunin”- tregon zonja Ligjërie, e ëma e Klajdit.
Gjithë këto vite ka jetuar i izoluar nga të tjerët. Ka parë vetëm muret e shtëpisë dhe pemët në kopsht. Në shkollë nuk ka shkuar kurrë.
Ama, atij i pëlqen shumë të takojë njerëz të rinj. Klajdi është shumë i dashur dhe shumë i qeshur. E ndjek të ëmën dhe të vëllain me sy pa pushim. “Na ruan se mos ikim dhe nuk e marrim. I pëlqen shumë të dalë këtu në verandë e të shikojë natyrën. E marr në krahë” - thotë Ligjëria.
Por edhe për sa kohë do mundet ta bëjë këtë? Ai po rritet në shtat. Shumë shpejt do ta kalojë edhe të ëmën. Me përkëdheli ajo e thërret “lepurushi i mamit”.
Kajdi ka nevojë për një vizitë të specializuar që t’i përcaktojë diagnozën e saktë e të mund të marrë më pas shërbimet e specializuara që të përmirësohet.
Ata jetojnë në Hotolisht, në një fshat të Librazhdit. I vetmi që punon në familjen prej 6 pjesëtarësh është babai i Klajdit. Si shumë bashkëfshatarë, të vetmen mundësi për punë e ka gjetur në Greqi, larg shtëpisë. Atje punon me muaj, si murator.
Që fëmijët si Klajdi të mund të marrin shërbimet që u nevojiten, World Vision ka filluar programin social “Tungjatjeta”. Ti mund të ndihmosh duke dhuruar 400 lekë.