Bruna është shumë e dashur dhe miqësore. Ajo është mikesha me e shpeshtë e të gjithëve në lagje. Ata e duan shumë vogëlushen që i viziton e heshtur. Brunës i pëlqen shumë të luaj me fëmijët në lagje, me qenin që kanë pas shtëpisë dhe të mbledhë fruta në pemë. E gjetëm në ulur në avllinë e papërfunduar tek shtëpia e xhaxhait tek hante disa kajsi që i kishte vjelë vetë, veshur me një fustan rozë. U gëzua pa masë dhe vuri buzën në gaz. Vetëm kaq mundi të bëjë.
Shkuam në shtëpinë e saj, takuam të ëmën, Mimozën e cila na rrëfeu mes lotësh për Brunën e saj të vogël. Bruna është vajza e tretë e familjes. Ajo erdhi në jetë pas 2 motrave, Ferides dhe Mirjanës. “Shtatzania më shkoi shumë mirë, edhe muajt e parë mirë, nuk kuptuam gjë. Kur bëri 1 vjeç thonte “ma”,”ba”…kaq. Pastaj i la fjalët. Unë i flisja ajo nuk më kthente përgjigje. As nuk më dëgjonte. Nuk e besonim dot. Në fis nuk kemi kështu rastesh, as unë as burri” – tregon Mimoza. Pas betejës për të pranuar realitetin e vështirë, ata e dërguan Brunën, asokohe 2 vjeçe, në Tiranë. “Mjekët na thanë për skaner dhe ezhe, por ne nuk kishim mundësi, nuk kishim para”, - tregon e ëma.
Më pas, kur Bruna ishte 4 vjeçe e vizituan tek një mjek në Librazhd. Ajo u diagnostikua me autizëm fëminor.
Bruna filloi të merrte shërbimet që i nevojiten vetëm para 3 muajve. Bashkë me të ëmën shkojnë tek qendra e shërbimeve të specializuara në Librazhd. Atje ajo bën terapi logopedie. “Goca më ka përmirësime. Ka filluar lëshon tinguj. Kam shumë shpresë që do të fillojë të flasë”- thotë Mimoza. Ajo ëndërron që një ditë e bija të flasë. “Sikur të fliste e të bëhej e zonja e vetes! Kaq dua. Po kur mos të jem unë? Kush do kujdeset për gocën?”- përfundon mes lotësh Mimoza.